Presidenti amerikan Donald Trump i dërgoi një letër kryeministrit Edi Rama lidhur me rrjetin 5G. Trump kërkonte nga Shqipëria që të refuzonte modelin kinez, ndërsa Rama përgjigjen pozitive e ka dhënë nga mbledhja e dy qeverive.

Presidenti amerikan Donald Trump, në një letër dërguar kryeministrit shqiptar Edi Rama, i ka kërkuar që të nënshkruajnë një memorandm për sigurinë e rrjetit 5G. Ndër të tjera në letrën e tij, dërguar Ramës, Trump e falenderonte për qëndrimin që qeveria shqiptare kishte mbajtur larg qëndrimit të Kinës.

“I dashur Z. Kryeministër: Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, unë dua t’ju falënderoj juve për lidershipin e Shqipërisë në rajonin e Ballkanit dhe nëpër Europë, për ekspozimin e ndikimit malinj të Kinës, abuzimet me të drejtat e njeriut dhe praktikat grabitqare të huazimit. Mbështetja juaj e hapur për rrjetet e sigurta të telekomunikacionit po jep një shembull të fortë dhe shpresoj që Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria të mund të nënshkruajnë së shpejti një Memorandum Mirëkuptimi mbi sigurinë 5G, i cili hap rrugën që edhe vendet e tjera në Ballkan të bëjnë të njëjtën gjë. Jam gjithashtu i kënaqur nga roli i fortë i Shqipërisë në Nismën e Tre Deteve – një alternativë transparente, e bazuar në treg dhe e drejtë, e formatit Kina 17 + 1 prej të cilit unë ju nxis të dilni. Unë dua t’ju falënderoj që e keni mbështetur normalizimin ekonomik midis Serbisë dhe Kosovës dhe për mbështetjen tuaj të fuqishme të Marrëveshjeve të Abrahamit, hapi më domethënës drejt paqes në Lindjen e Mesme për këtë gjeneratë. Ju inkurajoj që t’u bashkoheni Shteteve të Bashkuara dhe të tjera kombeve evropiane në zhvendosjen e ambasadës suaj në Jeruzalem,“- shkruhet në letrën nga Trump.

Por nuk vonoi shumë dhe përgjigjen pozitive të letrës Rama e dha në mbledhjen mes dy qeverive Shqipëri- Kosovë në Tiranë, ku u shpreh se oferta në rajon ishte e dyshimtë dhe se do të prisnin për të një rrjet më të sigurtë.

“Dua të rikonfirmoj qëndrimin që vendet e rajonit duhet të shohin perspektivën e një zhvillimi të teknologjisë 5G të bazuar në një rrjet të sigurt dhe duhet të synojnë alternativën e duhur. Vendet e rajonit tonë duhet të shohin prespektivën e zhvillimit të rrjetit 5G si rrjet të sigurt në çdo aspekt. Duhet të synojnë alternativën e duhur të ofertës që ekziston sot. Për sa na takon sot si Shqipëri është një ofertë e dyshimtë. Duam ta çojmë përpara të një integrimi jo vetëm të rrjeteve tona,” – tha Rama.